Me fitoren e Gordana Siljanovska Davkovës dhe të VMRO-DPMNE-së, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Të gjithë pjesëmarrësit, si dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.
“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, deklaroi Siljanovska Davkova.
Në konferencën e mbrëmshme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.