19 janar – Skuadra e Wintethur U17, që drejtohet nga trajneri perspektiv shqiptar, Adil Maliqi, dhe i cili në përbërjen e saj ka 6 lojtarë shqiptarë, dje ka shënuar një fitore bindëse prej 3-0 kundër Grasshopers Club U18 në një ndeshje miqësore, në kuadrin e përgatitjeve për sezonin pranveror, shkruan Open-TV.
Përveç kësaj fitore, Winterthur U17 triumfoi edhe në miqësoren kundër FC Winterthur U18 me rezultat 5-3, kurse me ekipin e dytë të Schaffhausen barazoi 2-2.
Ky është edhe shkaku për një intervistë me trajnerin ambicioz Adil Maliqi për portalin tonë Open-TV.
“Fitorja ka qenë me plotë meritë, pasi ne në cdo aspekt ishim më të mirë. Jam krenar me çunat për përqëndrimin që patën në fushën e lojës. Kundërshtari për 90 minuta pati vetëm një rast, kurse ne 6-7 top raste”, deklaroi trajneri Maliqi.
“Ne ne sezonin pranveror presim të përparojmë shumë. Edhe pse konkurenca është mjaftë e fortë, synojmë vendin e parë”, shprehet me tone optimiste 36-vjecari Maliqi.
Sezonin vjeshtor Winterthur U17 e përfundoi në vendin e pestë me 19 pikë, tetë më pak se FC Basel U17.
Ndryshe, trajneri me perspektiv i futbollit, Adil Maliqi, e ka marrë drejtimin e Winterthur U17 nga Zvicra gjatë verës së kaluar.
Ai më herët ka qenë futbollist, ndërsa tashmë tani i është dhënë rasi të drejtojë U17 të Winterthur.
Maliqi, i lindur në Zvicër, është me origjinë nga Dardana e Kamenicës së Republikës së Kosovës.
Kjo është një arritje e madhe për trajnerin e ri kosovar, i cili ka arritur diçka shumë të rëndësishme në karrierën e tij. Kjo konfirmon se në Zvicër nuk ka vetëm futbollistë të talentuar, por edhe trajnerë të talentuar shqiptarë, të cilët në vitet në vijim priten të shkëlqejnë në këtë sport.
Tutje në intervistë ai rrëfeu se si i kishte bindur drejtuesit e klubit zvicerian që t’ia besojnë detyrën e trajnerit U17.
“Unë fillimishtë kam qenë zëvendëstrajner në U-15 te Winterthur, por ata kur i panë aftësitë e mia të trajnerit, gjatë verës së kaluar menjëherë më emëruan kryetrajner i U-17. Jam shumë i lumtur për këtë arritje dhe unë shpresoj se do të arsyetojë besimin e dhënë”, thekson Adil Maliqi për Open-TV.
Maliqi nuk e vë vetën në presion që të drejtoj ekipe të Superligës së Zvicër, por thotë se në këtë drejtim do të punoj hap pas hapi.
Maliqi e ka nisur karrierën si futbollist, por për shkak të një lëndimi ndërpreu karrierën dhe e nisi punën e trajnerit. Ai tregon se si nisi historia që të bëhet trajner.
“Punën si trajner e kam filluar krejt rastësishtë. Vëllai im Sokol Maliqi, ish-profesionistë, e la detyrën e trajnerit për shkak të punës që kishte dhe urgjentishtë kërkonte një trajner. Më pyeti mua, nëse kam dëshir të punoj si trajner, unë pranova dhe kështu filloi gjithçka. Unë shumë shpejt u dashurova në detyrën e re dhe i pash mundësitë e mia se mund të zhvillohem. Edhe sot e kam të njëjtin pasion. Çdo stërvitje e planifikoj më shumë se dy orë. Jam perfeksionist në dytyrën që e bëj, ndërsa të njëjtën gjë e pres edhe nga lojtarët e mi”.
Ai pëlqen trajner të mëdhenj, por gjithmonë dëshiron të jetë vetvetja.
“Kam shumë trajner që më pëlqejnë, por unë s’kam nevojë të imitoj ndonjë trajner tjeter, pasi kam idetë e mia të futbollit dhe mbi ato zhvillohet gjithcka”.
I pyetur nëse do të kthehej në Kosovë për të punuar si trajner, Maliqi është përgjigjur shkurt. “Kisha pasur interes, por vetëm për Kombëtaren e Kosovës”.
Për fund, Adil Maliqi ka një mesazh për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në “ujërat” e trajnerit.
“Mesazhi im është që trajnerët e rinj që të mësojnë bazën e punës dhe më pas të ecin hap pas hapi”, përfundoi intervistën e tij trajneri i ëndrrave të mëdha, Adil Maliqi./Open-TV/