Mitrovicë- Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie për sulmuesit e vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kundër sulmit terrorist që grupi terrorist serb zhvilloi nga Policisë.
Kjo është bërë e ditur, përmes një njoftimi për media të Listës Serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Shpallen 26, 27 dhe 28. Shtatori, Ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në ngjarjen tragjike në Banjskë, në komunën e Zveçanit. Në mjediset serbe në territorin e Kosovës- do të anulohen të gjitha ngjarjet e argëtimit të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale, – flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve ju urojmë shërim të shpejtë”, thuhet tutje.
Ndryshe, mbrëmë Lista Serbe edhe mbrëmë ka drejtuar pyetje në bashkësinë ndërkombëtare se pse në këtë aksion nuk ka marrë pjesë edhe EULEX-i por vetëm Policia e Kosovës.
“Po ashtu, themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë me gjakftohtësi, edhe pse janë dorëzuar. Pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse nuk mori pjesë Eulex në operacion, por vetëm policia e Kurtit?”, thuhet në njoftim.
Veç tjerash, ata bënë thirrje që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri në mënyrë që sipas tyre të parandalohet përshkallëzimi i mëtutjeshëm.