Kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City mund të përballet me një rënie poshtëruese nga Premierliga dhe të shtyhet shumë prapa në kategoritë e futbollit anglez, nëse vërtetohen parregullsitë e supozuara financiare për të cilat klubi është akuzuar.
Nëse shkeljet e supozuara, të cilat janë më shumë se njëqind në një periudhë disavjeçare, vërtetohen dhe Premier League rekomandon dënimin më të ashpër të mundshëm, sipas rregullave aktuale, Manchester City do të duhet të fillojë në Ligën 2 të Anglisë, niveli i katërt i futbollit anglez.
Megjithatë, do të jetë shumë e vështirë për të arritur një situatë të tillë. Pavarësisht akuzave të rënda, Manchester City pretendon se nuk ka thyer rregullat dhe për procesin gjyqësor ka punësuar disa nga avokatët më të mirë në Britaninë e Madhe.