Hendbollistet e Çairit janë gati për ndeshjen e parë të javës së tretë në EHF Cup ndaj Maccabi Arazim nga Izraeli. Trajneri Basri Latifi, kapitenia Leonora Rrahmani dhe Teodora Gulicoska janë shprehur optimist për duelin e ditës së diel.
“Sinqerisht shpresojmë që do e kalojmë këtë xhiro. Një xhiro e vështirë për ne, jo për atë që nuk kemi përvojë, pasi ky është viti i tretë për ne që luajmë në garat europiane. Këtë vit kemi arritur më tepër rezultat dhe shpresojmë ta kalojmë edhe këtë xhiro që të jemi edhe ekipi i parë pas Kometal Gjorçe Petrovit të famshëm që plasohet në 1/8 e finales. Ekipi i Makabit është një skuadër e përbërë me shumë hendbolliste me përvojë dhe është kampion i Izraelit, por ne shpresojmë se do të ia dalim”, deklaroi Latifi para mediave.
“Për ndeshjen ka interesim të madh dhe tifozët do të jenë lojtari ynë i tetë në ndeshje. Iu bëjë thirrje për anim fer dhe korrekt, sepse edhe dënimet janë të mëdha”, theksoi Latifi.
“Jemi të motivuar, por fakti që na tremb është se ekipi kundërshtarë ka hendbolliste më të moshuara dhe kanë përvojë më shumë se ne në kësi lloj ndeshje europiane. Por favori jonë është se, ekipit tjetër bën një lojë më të ngadaltë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë në shpejtësi me lojë më të shpejtë. Sigurisht do të jetë ndeshje e vështirë, por jemi angazhuar maksimalisht për këtë kundërshtarë javëve të fundit, kemi dhënë maksimumin në stërvitje dhe besoj që do të reflektojë edhe në terren”, u shpreh kapitenia Rrahmani.
Takimi mes Çairit dhe Maccabit do të luhet nesër në palestrën sportive në Autokomandë të Shkupit me fillim prej orës 18:00.