Një shoqëri bashkëkohore, një mjedis shoqëror përparimtar dhe i zhvilluar, mbështetjen kryesore e ka në gjeneratat e arsimuara. Perspektiva e një vendi dhe kombi bazohet në rininë e shkolluar dhe ngritjen e tyre intelektuale.
Një ndër të tillët është edhe doktoranti Almir Rushiti, asistent në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, i cili dje u bë laureat i çmimit “Shkencëtar i Ri i vitit 2022” i ndarë nga ana e FRI.
29 vjeçari Almir Rushiti nga Kumanova është i njohur në qarqet akademike si një shkencëtar me perspektivë, intelektual i dëshmuar dhe mësimdhënës universitar i përkushtuar. Biografia e Tij është e shoqëruar me një varg punimesh shkencore të botuara në revista kredibile ndërkombëtare, më pjesmarrje në shumë konferenca internacionale dhe në shumë seminare e trajnime me peshë ndërkombëtare.
Almir Rushiti ciklin e parë dhe të dytë të studimeve e ka të mbaruar në Fakultetin e ndërtimtarisë pranë Universitetit “Sh.Kirili dhe Metodi” në Shkup, me notë mesatare prej 9.3. Është në përfundim të doktoraturës, respektivisht në fazë të rrumbullaksimit të disertacionit të doktoratës, pasi që tani më i ka dhënë të gjitha provimet, me notë mesatare 10.
Doktoranti Almir Rushiti posedon licenca që i sigurojnë angazhim edhe në tregun e punës, në lëminë e ndërtimtarisë. Për punën dhe aktivitetin e Tij intelektual dhe profesional, është dekoruar me shumë shpërblime e mirënjohje.
Almir Rushiti është një shembull tipik se si duhet të duket një shkencëtar i kohës moderne dhe mund të shërbejë si model për gjeneratat e ardhshme se si duhet të ketë pamjen një personalitet, një figurë e dobishme për shoqërinë dhe familjen.