Bashkimi i Kumanovës, të dielën, arriti sukses minimal, por gjithsesi mjaftoi për të marrë tri pikët e për të arritur triumfin e dytë radhazi në kampionat kundër BvK-së, shkruan Open-TV.
Në këtë ndeshje kanë shkëlqyer dy kusherinjtë e Bashkimit, Egzon Osmani dhe Besim Mustafi. Sidomos ky i fundit ishte i pagabueshëm dhe i pakalueshëm në mbrojtje përballë sulmuesve të BvK-së nga Konjare e Mesme e Shkupit.
Mustafi luan në mbrojtje, kurse Egzon Osmani në mesfushë. Ky i fundit iu bashkua Bashkimit në afatin kalimtar të dimrit duke ardhur nga Besa e Sllupçanit, si përforcim i madh.
Ata jetojnë në Çerkez të Kumanovës, ndërsa me origjinë janë nga fshati Llukarë i komunës së Likovës.
Por, kjo nuk është e vetmja risi te Bashkimit, pasi kemi lojtarë që kanë emra të njëjtë sikur Egzon Osmani dhe Egzon Aziri. Aty janë edhe dy lojtarë që kanë mbiemra gati të njëjtë Aziz Ameti dhe Gazmir Ahmeti.
Ndryshe, Bashkimi pas fitores së fundit në Kumanovë është shumë pranë titullit kampion në Ligën e Tretë-Veri dhe luajtjes në balotazh për promovim në Ligën e dytë. Ata tani kanë 61 pikë, gjashtë më shumë se BvK. (Open-TV)