VMRO-DPMNE ka shpallur fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Lideri i konservatorëve maqedonas, Hristian Mickoski deklaroi përmes një konference nga zyrat e partisë së tij se në këto zgjedhje ia dolën të shënojnë një fitore historike.
“Do të bisedojmë me të gjitha partitë opozitare, por jo dhe me BDI-në”, paralajmëroi ai duke njoftuar negociatat me të gjitha partitë politike opozitare, edhe pse sipas tij kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Mickoski me këtë rast la të kuptohet se pavarësisht numrit të mandateve që ka fituar BDI-ja (Fronti Europian numëron ndërmjet 18, 19 deputetë), kjo e fundit nuk është në agjendën e VMRO-DPMNE-s.
“Nuk do t’i përsëris gabimet që i ka bërë kjo qeveri e cila injoronte partitë e tjera politike. Ne kemi për qëllim që të bisedojmë me të gjitha partitë politike opozitare. Por kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Mickoski.
Numërohen 93% e votave
VMRO-DPMNE, 59 deputetë
LSDM, 18 deputetë
Fronti Europian, 18 deputetë
Koalicioni VLEN, 13 deputetë
Partitë e tjera maqedonase, 11 deputetë