Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka shtruar një darkë në rezidencën e tij në Hajvali për liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe për disa ministra dhe funksionar nga rradhët e integristëve, informon PRESSonline.mk
Pascolli prezencën e Ahmetit dhe zyrtarëve shtetëror dhe partiak të integristëve në konakun e tij e ka vlerësuar si nder dhe privilegj.
“Nder dhe privilegj që të mirëpres kryetarin Ali Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij, Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, ministrat Kreshnik Bekteshi, Fatmir Besimi, Jeton Shaqiri dhe sekretarin e BDI Faton Ahmeti. Me kryetarin Ali Ahmeti kemi bashkëpunuar në kapacitete të ndryshme. Qetësia dhe maturia e tij ka shërbyer jo vetëm në ngritjen dhe fuqizimin e popullit shqiptar në Maqedoni, por edhe në konsolidimin e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Është shumë e rëndësishme që të jemi të bashkuar në momente të rëndësishme”, është shprehur Pacolli.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka shprehur mirënjohje ndaj presidentit Pacolli për angazhimin dhe mbështetjen që ua ka dhënë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Z. Pacolli ka qenë gjithmonë pranë dhe në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ndërsa sonte, si nikoqir i shkëlqyer, na priti në shtëpinë e tij në Kosovë për bisedë vëllazërore”.