NASER PAJAZITI
Makineria propagandistike amatoreske e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk ka të ndalur.
Një shef apo bashibozuk i partisë kontrollon 10 a 20 portale, e që në fakt janë vetëm “partalla”.
“Partalla” sepse ato janë hiç, kot fare, që menaxhohen nga një qendër, duke keqpërdorur edhe institucionet dhe paranë publike.
Shumimi i tyre ndodhi sidomos duke përfituar nga kodi zgjedhor në Maqedoni, që shpërndanë miliona euro për media, dhe 15 mijë euro për një portal. Kjo i ndërseu shtabet partiako – propagandistike.
Hierarkia e tyre funksionon sipas sistemit, shefi apo “bashibozuku” në krye, më pas një tufë e vogël administratorësh që bëjnë gjasme profesionin e gazetarit.
Është bërë trend që çdo ministri apo drejtori të ketë kultivojë politikën e tij në “partallin” e tij, ku çdo ditë shefi do shfaqej me poza manekenësh dhe me ndonjë porosi megalomane filozofike, që në gjuhën e popullit nënkupton “shitje pordhash”.
Kjo të përkujton “levantitët” që Konica i përshkruante administratorët e perandorisë osmane në Shqipëri si shërbëtor të qorruar injorantë.
Të njejtin model e ndjekin edhe partitë e tjera, përfshirë edhe ato opozitare, që thuajse çdo nahi ka nga një portal dhe shefi vret e pret, duke postu çka ti doj zemra!
Por çka me këto “partalle”, ato më s’po dhezin, sepse qytetari i zakonshëm i shef vetëm si fletushka partiake të kohës së xhaxhit Enver, ku në plan të parë është “Partia – Enver” apo edhe lajmet neveritëse nga ministri e deri tek drejtori i lagjes, e që ngelin pa ia kapur e publikuar momentin senzacional kur i’a lëshon “pordhave”.
“Partallet” më s’po kanë fuqinë dhe kjo dita ditës po dëshmohet në fushatat e zgjedhjeve, sepse lexuesi ka nisur të detektoj dhe të vlerësoj mediat kredibile online që krijojnë opinion të besueshëm dhe transmetojnë lajmin e vërtetë në stilin gazetaresk.
Lexuesi ka nisur të detektoj “partallin” me “portalin”, sepse çdo ditë është i ngarkuar me ambientin e ndotur mediatik që përçohet edhe përmes rrjeteve sociale.
Zgjedhjet e fundit dëshmuan se “partallet” qoftë edhe një mijë, nuk të bëjnë punë, sepse “populli nuk po e ha sapunin për djath”. Lexuesi ka adresat, pavarësisht se muri i tyre vërshohet nga “fejkerat” partiak.
Kjo luftë hibrike që është një model rus dhe kopje e vonuar dhe varfër, po merr fund.
“Media është një armë dhe nëse nuk di ta përdoresh vetvritesh”, është një thënie.