Për një javë janë raportuar 347 raste të personave të prekur nga gripi sezonal, që është për 96% më shumë krahasuar me javën e kaluar, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas moshës, 184 persona janë të 15 deri në 64 vjeç, 138 fëmijë të moshës 5 deri 14 vjeç dhe 29 prej tyre janë personat mbi 65 vjeç. Raporti javor i institutit të Shëndetit Publik tregon se incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës 5-14 vjeç. Kryetarja e Lidhjes së mjekëve amë, Lilija Çollakova-Dervishova thotë se situata nuk është shqetësuese.
“Këto janë muaj kur numri i pacientëve me grip, me temperaturë, pra rritje të temperaturës, dikush ka deri 37 e dikush temperaturë më të lartë, por sidoqoftë kur t’i kontrollojmë secili do të thotë se nuk ka qenë i veshur siç duhet gjatë kohës së festave, se janë veshur hollë. Viruset gjithnjë janë prezentë këtë periudhe dhe në varësi nga imuniteti, nga pijet e nxehta dhe ushqimi, rehidrohet normalisht kur ka temperaturë, varet se si do të zhvillohet e gjithë situata. Ndonjëherë mund të përfundojë me temperaturë dy-tre ditëshe e ndonjëherë, pra varësisht nga imuniteti, me infeksion të lartë bakterial.”- deklaroi Lilija Çollakova-Dervishova, mjeke amë.
Mjekja Dervishova apelon që të mos krijohet panik. Thotë se duhet që t’i përshtatemi temperaturave aktuale dhe të jemi më të kujdesshëm.
“Numri i personave me grip nuk para qet ndonjë ndryshim nga vitet e kaluara të kësaj periudhe, nuk ka momente dhe hapësirë për panik, njerëzit janë të pakujdesshëm dhe nuk vishen si duhet, lahen dhe dalin, ishin edhe festat, kremtohej në restorante me pije të ftohta, personat që pinë duhan dalin jashtë të djersitur, kështu që duhet të veprojmë në përputhje me temperaturën në hapësirë.”- pohoi Lilija Çollakova-Dervishova, mjeke amë.
Deri tani në këtë sezon të gripit janë regjistruar dy vdekje, nga Shkupi dhe Shtipi, me komorbiditete dhe të pavaksinuar me vaksinë të gripit sezonal.