Shkruan: Astrit Iseni
Nxënës dhe student të dashur, gjindemi në ditët madhështore të Muajit Ramazan, muaj që, përpos agjërimit, shquhet edhe për marrjen e diturisë dhe nxitjen për të. Andaj, sa që me të vërtetë e respektojmë këtë muaj të bekuar, mos të harrojmë edhe fjalët e para që iu shpallën profetit tonë: Lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë. (el Alek, 1).
Nxënës dhe student të dashur, aq sa është i rëndësishëm agjërimi, gjithashtu rëndësi të njejtë ka edhe dituria, nëse agjërimi është adhurim, atëherë një ndër adhurimet më të mëdha është dituria. Pa të, adhurimi mund ta humb efektin. Agjërimi dhe dituria, janë mburojë e shpirtit, zemrës dhe trupit nga të këqijat, dhe ramazani do të jetë edhe më i begatë sikur ne t’i përkushtoheshim edhe më shumë dijes dhe nxënies së saj.
Prandaj, nxënës dhe student të dashur, mos e keqpërdorni ramazanin dhe agjërimin që të mungoni në orët mësimore, sepse sikurse pesha e agjërimit, e njejtë është edhe pesha e mësimit.
Nxënës dhe student të dashur, mos harroni, Dituria është boshti rreth të cilit sillet Islami. Dituria është gjëja që i duhet më së shumti njeriut.
Dituria është udhërrëfyes i besimit.