Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) njofton se sot i ka dërguar një reagim dhe kërkesë për shpjegim për siç thonë, trajtimin joparimor të gazetarëve të huaj në Kuvendin e RMV, kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Jovan Mitreski.
Nga SHGM thonë se pas raportimeve nga gazetarët dhe sipas raportimeve të mediave gjatë ditës së djeshme, katër gazetarë janë privilegjuar nga shërbimet e Kuvendit në kurriz të gazetarëve dhe punonjësve të mediave vendase.
“Sipas kronikës së portalit Portali X, katër gazetarët e huaj janë vendosur të ulen në pjesën diplomatike të tarracës në sallën plenare dhe janë transportuar edhe me automjete zyrtare të Qeverisë gjatë vizitës së tyre”.
“Privilegjimi i disa gazetarëve ndaj të tjerëve nga shërbimet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ngre shqetësime serioze për lirinë dhe integritetin e gazetarisë në vend. Një favorizim i tillë mund të rezultojë në raportim të njëanshëm, censurë dhe shtypje të zërave të larmishëm, duke kompromentuar përfundimisht të drejtën e publikut për të patur qasje në informacion të saktë dhe të paanshëm”, thonë nga SHGM.