Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në Kuvendin e Kosovës ku u sulmua kryeministri Albin Kurti.
Rama e quajti njollë ndaj vetes sulmin ndaj Kurtit dhe kundërshtinë ndaj tij, nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa e cilësoi turp këtë që i bënë Kosovës edhe ndërkombëtarisht.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, tha Rama.
Deputetët e PDK kanë sulmuar fizikisht edhe pjesëtarë tjerë të qeverisë. Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.
Më pas, situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij. Top Channel