Klubi i futbollit Arsimi nga Çegrani i Gostivarit dje ngriti trofeun e kampionit të Ligës së Tretë-grup i Perëndimit. Festa ishte e madhe. Qielli mbi Çegran u bë verdhezi, me ngjyrat e klubit të KF Arsimi. Kjo gjeneratë e artë realizoi ëndrrat e shumë brezave të klubit për ta parë KF Arsimin kampion dhe një ligë më lartë. Ishin bërë shumë sakrifica por ja që më në fund ëdrra shumëvjecare bëhet realitet.
Urimet për KF Arsimin nuk kanë të ndalur. Ato vijnë edhe nga mërgimtarët e Çegranit që jetojnë dhe veprojnë në diaspor, respektivishtë në Munich të Gjermanisë, e që dikur kanë qenë pjesë të skuadrës.
Sadri Osmani është njëri prej tyre. Ai i është gëzuar pamasë suksesit historik të KF Arsimi.
“Jemi shumë të lumtur me suksesin e KF Arsimi. Është realizuar një ëndërr e madhe e jona që ta shohim klubin kampion. Me shpirt e zemër jam në Çegran. Ia uroj të gjithëve këtë arrritje. Jam shumë i emocionuar”, ka deklaruar Sadri Osmani nga Munichu i Gjermanisë, ish-futbollist i KF Arsimi.
“Të ndjerit Zilkadri Xifo Saliut iu plotësua dëshira e madhe. Ai ka qenë gjithçka në klub, për fat të keq vitin e kaluar në moshën 62 vjeçare ndërroi jetë. Xifo ka luajtur para nesh për KF Arsimin, ndërsa unë kam luajtur me Lazamin, Ramiz Iseinin, Sabri Baftjarin e të tjerë”, shtoi Osmani, i cili mezi pret të vij në Çegran dhe të festoj me shokët e gjeneratës.
KF Arsimin tani e pret ndeshje e barazhit për inkuadrim në ligën e dytë të Maqedonisë së Veriut në futboll./Open-TV/