Kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka deklaruar se kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, është ai që doli nga fjalët e dhëna e të zotuara para njëri-tjetrit.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për “përçarjen” e Aleancës për Shqiptarët, Sela ka potencuar se “Shtëpia nuk shitet për asnjë çmim”.
“Më tepër është kjo e dyta, realisht kam disa parime në jetë në bazë të cilave funksionoj… Politika duhet të ketë pas vete edhe traditën e asaj çfarë jemi. Uroj ta keni në Debat edhe Z.Taravarin dhe ta pyesni atë a i kam dalë ndonjëherë prej fjalëve, që unë e kam thënë përpara tij dhe jemi zotuar para njëri-tjetrit dhe përgjigjja do të jetë jo, a unë nga ana tjetër në vazhdimësi gjatë gjithë kësaj periudhe ai më ka dalë disa herë prej fjale. Për shembull, mbi pesë herë kemi debatuar në lidhje me atë se cili do të jetë rrugëtimi i aleancës në këto zgjedhje dhe bashkërisht jemi dakorduar se ne duhet të shkojmë vetë në zgjedhje dhe këtë zotim… e kemi të konfirmuar edhe me vendimin e kryesisë qendrore”, tha ai.
“Shtëpia nuk shitet për asnjë çmim dhe Aleanca për Shqiptarët është shtëpia e anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët dhe shtëpia e shqiptarëve e në qoftë se je në hall dhe duhet ta shesësh, të paktën ta dimë ofertën. Taravari nuk ka ofertë. Kemi pasur edhe një përpjekje që edhe njëherë ta tejkalojmë vetveten në mënyrë që ta ruajmë shtëpinë tonë dhe insiston me të tijën dhe i kam thënë ma jep ofertën, ai përsëri nuk kishte ofertë”, shtoi Sela.
Sela thekson se është plot energji për ta kthyer Aleancën në rrënjët e saj.