Emocione dhe entuziazëm i madh është duke mbretëruar në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, vendlindjen e Xherdan Shaqirit. Bashkëvendasit e tij në takimin kundër Serbisë presin gola nga Shaqa, Xhaka e Jashari, shkruan Open-TV.
“Derbi” Zvicër – Serbi do të luhet nesër (ora 20:00) në stadiumin “974” në Doha.
“Në mungesë të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjithë shqiptarët duhet të krenohen me futbollistët shqiptarë që do ti shohim në fushën e lojës. Presim gola nga Shaqiri, Xhaka dhe Ardoni”, tha mes tjerash Muhadin Haziri, kryetar i këshilit të fshatit Zhegër.
“Është botërori i katërt i Xherdanit. E kemi anëtar të familjes, presim shumë nga Xherdani, Granit dhe Zvicra. Në këtë botëror nuk është vetëm i familjes sonë, por i krejt shqiptarisë. Ndeshja me Serbinë është pak e komplikuar, rrethanat dihen. ma merr mendja se Shaqiri dhe Xhaka do të shënojnë kundër Serbisë”, deklaroi Shkodran Shaqiri, kusheriri i Xherdanit.
“Besoj se Xherdani do të na jap shumë emocione kundër Serbisë. Jemi shumë krenar me të si bashkëvendas të tij, na jep kurajo për cdo minut, për cdo lojë që luan ai. Rinia e Zhegrës ndeshjen do ta ndjek në kafiteri sepse aty krijohet më shumë atmosferë, ka emocione, dhe nëse ai shënon gol të gjithë do të festojmë. Parashikoj fitore pre 3-0, gola do të shënojnë Xherdan Shaqir, Granit Xhaka..”, tha me optimizim Naim Kadriu, bashkëvendas i Shaqirit.
Open-TV ju sjell kronikën që e kishte përgatitur një ditë para se të filloj botërori Katar 2022.