Janari mund të jetë një muaj i zymtë. Moti është i ftohtë, qiejt janë përgjithësisht ngjyrë gri, dhe ka një rritje të konsiderueshme të sulmeve në zemër. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit janë më të prirur për të përjetuar sulm në zemër në janar dhe dhjetor sesa në muajt e tjerë të vitit.
Kjo dukuri nuk duket të jetë direkt e lidhur me motin. Shkencëtarët po përpiqen të gjejnë arsyen pse më shumë njerëz vuajnë nga sulmet në zemër në këtë periudhë.
Në fillim ekspert menduan se incidentet në rritje ishin për shkak të motit të ftohtë. Më pas, një studim i vitit 2004 i botuar në revistën “Circulation” synoi të zbulonte nëse vdekjet kardiake kishin lidhje me pushimet, dhe jo me rënien e temperaturave, raporton abcnews.al.
Autorët e studimit shqyrtuan një bazë të dhënash të certifikatave të vdekjes gjatë viteve 1973-2001 të Qendrës Kombëtare për Statistikat Shëndetësore në SHBA (NCHS). Ata vunë në dukje se në cilën periudhë të vitit kishin ndodhur vdekjet dhe si kishte vdekur secili nga individët.
Ata morën parasysh të gjitha llojet e vdekjeve, dhe jo vetëm vdekshmërinë e lidhur me problemet e zemrës. Më pas studiuesit kombinuan vdekjet kardiake për të gjitha vitet dhe krijuan një tabelë që tregonte frekuencën e ditëve të vitit kalendarik kur ndodhën këto ngjarje.
Vdekjet si pasojë e sulmeve kardiake ishin më të ulëta në korrik, dhe më pas arritën kulmin ditën e Krishtlindjes. Pati një rënie të lehtë, dhe më pas një tjetër kulm më 1 janar. Shkalla e vdekjeve kardiake mbeti e lartë deri në janar, dhe më pas filloi të bjerë në pranverë dhe në fillim të verës.