Ka mbaruar fakultetin Gjuhë dhe Letërsi shqipe, punon si gazetare dhe moderatorë, ndërsa si hobi ka përdorimin e rrjeteve sociale ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’. Almedina Ismaili, ka më shumë se 20 mij ndjekës në ‘Instagram’, ka të kontraktuar kompani dhe brende të njohura për reklamim. Ajo shpresonë që karierën e saj ta zhvilloj në arsim.
TOP-NEWS: Çka ju nxiti të jeni aktive në rrjete sociale, hobi apo e bëni për para?
Almedina Ismaili: Në rrjete sociale jemi pothuajse të gjithë aktiv që kur u benë pjesë e përditshmërisë, secili në mënyrën e vet. Fillimisht si nevojë komunikimi e mandej si “nevojë” me i tregu njëri tjetrit përmes check in-ave ku jemi e çka po bëjmë. Unë që nga profili i parë i Facebookut para 10 vitesh, kam pasur njerëz të shumtë që më kanë ndjekur. Ajo që i ka tërhequr besoj që është fakti që kam përcjell trendet, bëja foto me aparat profesional dhe nuk kam hezituar të shpreh mendimin tim hapur, të ndaj batuta, kritika, të mbështes kauza pozitive e kështu me radhë. Domethënë unë në mënyrë të pavetëdijshme në një formë, kam grumbulluar gjithnjë audiencë të shumtë. Në Instagram më ndjekin mbi 20 mijë persona dhe shpesh habitem sinqerisht, pyes veten, pse janë në profilin tim këta njerëz, si i kam merituar?! Mirëpo përgjigjen më së miri e dinë ata sigurisht, sepse unë gjithçka që kam bërë gjithnjë, është të qenurit vetvetja.
TOP-NEWS: Cili ishte ai momenti I parë që e vërejtët, se mundet të mbijetohet edhe me rrjete sociale dhe pastaj vazhduat?
Almedina Ismaili: Por, krahas komunikimit ndërmjet njerëzve, këto rrjete sociale kanë mundësuar komunikim shumë të lehtë dhe efikas edhe ndërmjet bizneseve dhe klientëve të tyre, gjë që ka nxitur shumicën e bizneseve që një pjesë të marketingut të tyre ta fokusojnë në rrjetet sociale, sidomos në Instagram. Kjo më së miri bëhet nëpërmjet personave që kanë influencë, popullaritet ose ndjekës të shumtë. Asnjëherë nuk e kisha menduar të përfitoj nga Instagrami. Thjesht e bëja për hobi. Biles publikoja aq gjëra të rëndomta nga përditshmëria, nuk më shkonte ndërmend të zhvilloj ndonjë bashkëpunim dhe as që pretendoja të shkoj në atë drejtim. Kisha ftesa nga shumë makeup artistë dhe sallone kozmetike, për grim dhe shërbime tjera, të cilat shpesh i pranoja, ndërsa në vitin 2019 pata ofertën e parë për reklamë të paguar dhe ishte një kompani goxha e madhe që s’kisha si mos ta pranoja, Neptun. Menjëherë vijuan oferta tjera, Marella-brend i veshjeve me renome, Kare po ashtu për mobilje, A1 e kështu me radhë. Që atëherë kam vazhduar të jem ambasadore e disa brendeve dhe kompanive dhe aktualisht vijoj komunikimin dhe kooperim me bizneset që japin oferta të arsyeshme.
TOP-NEWS: Si gazetare tani edhe inluencere, kush ju plotëson më shumë?
Almedina Ismaili: Ndoshta pse kam punuar në media që në studime dhe në OJQ nga shkolla e mesme, ka bërë që të kem rreth më të madh miqsh edhe në rrjete dhe të jem më komunikatave. Mes punës si influencere dhe gazetarisë?! Asnjëra hahahhah. Të parën e bëj më shume për përfitime financiare se sa më pëlqen të fotografohem ndërsa të dytën me pasion, por… Nuk po flas më shumë. Unë kam përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, aktualisht jam duke bërë master, me shpresën se do të mundem ndonjëherë të punësohem në arsim, me meritokraci.
TOP-NEWS: Ku fitoni më shumë në gazetari apo rrjete sociale?
Almedina Ismaili: Këtë fillim vit mendova të bëj një listë dhe program me qëllime dhe plane afatshkurta dhe afatgjate, mirëpo prap ia lash spontanitetit. Unë thjesht i shfrytëzoj rrjetet sociale për përfitime dhe nuk lejoj ato të me shfrytëzojnë mua. Do të vazhdoj me reklama deri sa të me konvenojë dhe deri sa kam nerva, sepse më absorbon shumë energji kjo punë. Nuk i dihet ndoshta do të jem influencere gjithë jetës, nëse kam mbështetje të publikut dhe është fitimprurëse, ndoshta e mbyll nesër Instagramin dhe fokusohem në ndonjë punë tjetër dhe fle e qetë pa pëlqime dhe komente. Thjesht nuk bëj plane, gjë që e konsideroj të gabueshme te vetja.
TOP-NEWS: E keni menduar të hapni, kompani për marketing dhe PR?
Almedina Ismaili: Më kanë kontaktuar shume agjenci marketingu, por nuk e gjej veten aty dhe aktualisht nuk mendoj të merrem seriozisht me këtë punë, prandaj një kompani e tillë nuk është në planet e mia.
TOP-NEWS: Në fakt ju bëni jetë virtuale, pasi që gjatë tërë kohës jeni në telefon, kompjuter, inçizime dhe në rrjete sociale. E lodhshme, apo relaksuese?
Almedina Ismaili: Hmm as nuk kam kohë ta mendoj lodhjen. Thonë se askush nuk punon më shumë se një femër që nuk i pëlqen të kërkojë gjë. Punoj me orar të plotë ne televizion, në bashkëpunim me një produksion nga Kosova po moderoj një emision, po ndjek një kurs për marketing digjital dhe plus reklamat… Shumë stres nga obligimet që marr përsipër, por janë punë të këndshme, sidomos kur klientët ndahen të kënaqur nga kontentet që publikoj dhe marr komente pozitive nga ndjekësit, pastaj përmbushem kur bëj ndonjë kronikë të mirë në shërbim të qytetarëve dhe emisioni që udhëheq del bukur. Shpesh më vjen në maje të hundës nga gjithçka, por prap se prap më pëlqen dinamika dhe dua ta kem ditën e ngjeshur, edhe pse zakonisht më mungon të kem kohë të lirë dhe t’ia dedikoj vetes një ditë të plotë të lirë e të rehatshme. Dua të shtoj edhe këtë, te ne ka ekstrem pak influencere shqiptare, e shoh se ngurrojnë, kjo sigurisht si pasojë e paragjykimeve dhe opinionit të të tjerëve. Nuk ka profesion ku shoqëria jonë nuk gjen negativen, por ti duhet ta bësh nëse të përmbush, nëse ke potencial dhe e bën ndershmërisht. I inkurajoj zonjat dhe zonjushat në këtë drejtim, sepse edhe ne mund të jemi model për shoqërinë tonë, si në modë, për fitnes, gatim, jetë të shëndetshme etj. Nuk kanë pse të ndjekin influenceret nga jashtë vendit kur mes nesh ka shumë vajza të talentuara, me stil dhe lifestyle të veçantë.
TOP-NEWS: Faleminderit.
Almedina Ismaili: Faleminderit.