Ish trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, është momentalisht i lirë pas përfundimit të aventurës së tij tek ‘Intelektualët’.
Nuhiu ishte pjesë e skuadrës nga Gjilani për 4 vite me radhë, ku arriti t’i fitoj Dritës një titull të kampionit dhe një Superkupë të Kosovës. Nën drejtimin e tij, Drita kishte paraqitje fantastike poashtu edhe në garat evropiane.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic’, Nuhiu tha se momentalisht nuk është në bisedime me asnjë skuadër dhe se është i përqendruar tek zhvillimi në karrierë, ku po ndjek edhe disa seminare.
“Për momentin jam duke ndjekur seminare, ishte një eksperiencë shumë e mirë të vizitoja dhe të shoh nga afër një ekip të organizuar si Royal Antwerp, jam i fokusuar në mësim, të zhvillohem edhe më shumë. Nuk jam në bisedime me asnjë ekip momentalisht“, tha Nuhiu për ‘GazetaBlic’.
Kujtojmë që ka disa skuadra që ishin raportuar në media si të interesuara për të siguruar Nuhiun në krye të stolit të tyre, por që tashmë duket se do të duhet të presin edhe për pak kohë.