28 Maj– Skuadra e Bashkimit të Kumanovës ka zhvilluar një ndeshje dominuese, duke siguruar kualifikimin për në Ligën e dytë në sezonin e ardhshëm pasi mposhti Vëllazërimin e Kërcovës me rezultat 3-0, në ndeshjen e balotazhit, që është zhvilluar në stadiumin e qytetit në Tetovë, shkruan Open-TV.
Kumanovarët zhvilluan një ndeshje fantastike duke shënuar një fitore bindëse dhe trajneri Muamer Rrustemi ia arriti qëllimit. Golat për Bashkimin i shënuan: Sami Alili në minutën e 14-të dhe Egzon Aziri në minutat 19’ dhe 85’.
Skuadra e Bashkimit pati edhe mbështetjen e madhe të tifozëve të tyre Ilirët të cilët gjatë 90 minutave nuk janë ndalur duke brohoritur, dhe duke krijuar një atmosferë fantastike.
Festa pas përfundimit të ndeshjes ishte e madhe si në fushë, në tribunën lindore, por edhe në zhveshtore ku ishin lojtarët e Bashkimit.
Kualifikimi në Ligën e dytë solli entuziazëm dhe gëzim edhe në qytetin e Kumanovës. “Heronjtë” zigjelbër në sheshin e Kumanovës mbërritën në rreth orës 21:00, ku janë pritur nga një numë i madh i qytetarëve. Nga paraqitja “Live” e Open-TV nëpër rrugën kryesore kalonin makina, autobusë, taksi që festonin fitoren e ekipit të tyre.
Të pranishmëve i është drejtuar kruetari i KF Bashkimi, Armend Destani, drejtori sportiv, Burak Hyda, kapiteni Mërgim Lutfiu dhe shumë lojtarë të tjerë. Festa vazhdoi deri në orët e vona të natës. (Open-TV)
LINKU: https://fb.watch/kQe7U6GOHh/
LINKU: https://fb.watch/kQe99YjwDa/