Chelsea do të shtrojë iftar për herë të parë në histori të tij në Ramazanin që do të fillojë javën tjetër.
Klubi anglez ka njoftuar se ushqimi për besimtarët myslimanë do të shtrohet në shtëpinë e tij në stadiumin “Stamford Bridge” më 26 mars, pak ditë pasi të nisë muaji i shenjtë i besimit islam.
“Të dielën, më 26 mars, fondacioni Chelsea do ta organizojë një iftar të hapur në fushën në ‘Stamford Bridge’ në atë që do të jetë hera e parë për një klub dhe në një stadium të Premierligës”, njoftoi klubi londinez, shkruajnë mediat angleze, përcjell “Gazeta Express”.
Ramazani do të fillojë më 23 mars dhe do të mbyllet më 20 prill, ndërsa dita e Bajramit do të jetë më 21 të muajit tjetër.
“Një numër i madh i xhamive lokale dhe anëtarët e komunitetit islam të Chelseat, por edhe tifozë dhe studentë shkollash do të ftohen në këtë ndejë, bashkë me stafin e Chelseat”, njoftoi tutje klubi i Preimerligës, i cili shtoi se ky event do të mbahet në bashkëpunim me “Ramadan Tent Project”, një organizatë bamirësie e themeluar në vitin 2013.
Synim i saj është që t’i bëjë bashkë komunitetet dhe që ta zhvillojë kuptimin dhe rëndësinë e Ramazanit.
Në vitin 2021, Chelsea e lansoi kampanjën “Të mos urresh”, ndërsa klubi ndërmori masa kundër racizmit, urrejtjes dhe diskriminimit, duke e promovuar barazinë, diversitetin dhe përfshirjen. /Gazeta Express/