Shkëndija, të dielën (ora 13:00), do të zhvilloj transfertën e tretë të njëpasnjëshme në kampionat, kësaj radhe ndaj Sileksit në Kratovë.
“Kemi ecur shumë mirë në ndeshjet si mysafir dhe ky fakt tregon se ekipi nuk ka kompleksin e fushës. Por duke parë ambiciet tona, nuk duhet të kënaqemi dhe patjetër të luajmë për të fituar çdo ndeshje të radhës, qoftë si vendas apo mysafirë. E kaluara është arkivuar, uroj të dielën të marrim edhe fitoren e 6-të“, tha Dashmir Elezi për faqen e KF Shkëndija.
“Sileksi është skuadër cilësore që po bën sezon shumë pozitiv. Kanë marrë rezultate shumë të favorshme dhe në mesjavë fituan si mysafir Rabotniçkin. Kjo tregon se nuk do ta kemi të lehtë, por realisht për ne nuk ekzistojnë ndeshje të lehta. Sfidën e fundit si vendas Sileksi pësoi 3:0 nga Pobeda dhe dha sinjale se s’janë të pathyeshëm. Besoj se me lojë të disiplinuar dhe angazhim maksimal, Shkëndija do të del me rezultat pozitiv”, theksoi Elezi.