Ekspedita e FC Struga Trim Lum nga mbrëmë ndodhet në Vilnius, ku nesër me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “LFF” të këtij qyteti do të luajë ndeshjen e parë të xhiros së parë kualifikuese në Champions League kundër ekipit të Zalgirisit.
Pas fluturimit nga Shkupi – Frankfurt – Vilnius, struganët janë vendosur në hotel, ndërsa sot pasdite janë në pritje të stërvitjes, të zakonshmen në fushën ku do të luhet ndeshja. Sigurisht që do të ketë edhe një konferencë për shtyp ku trajneri Shpëtim Duro dhe një nga lojtarët do të japin opinionin e tyre për publikun në Lituani pasi nesër do të përballen me Zalgirisin.
Atmosfera në kampin e kampionit tonë është e shkëlqyer, të gjithë janë të disponuar për të dhënë maksimumin për të luftuar për një rezultat të mirë para ndeshjes së kthyese, e cila do të luhet javën e ardhshme në Ohër.
Gjëja më e rëndësishme është që stafi teknik do të jetë në gjendje të llogarisë në të gjitha forcat e tij.