Ramadani në lidhje me këtë ka folur në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, duke treguar kushtet që ka te ky klub.
Ramadani është folur se do të ketë pagë të lartë, por ai ka një mendim më ndryshe.
”Jo more çfarë milioneri, veç llafe janë, milioner veç shpirtërisht”, u shpreh Ramadani në Klan Kosova.
Trajneri i shumë skuadrave kosovare tregoi synimet dhe kushtet e stadiumit të klubit që do ta drejtojë.
“Kontrata është për një vjet deri në fund të sezonit, nëse arrijmë suksese punën si duhet ndoshta edhe mund të vazhdohet”.
“Stadiumi i përmbush kushtet, është një stadium që plotëson kushtet nga A deri në Zh, këto kushte nuk i kam pasur asnjëherë në klubet e mëhershme”.
“Jam i kënaqur me kushtet, nuk kam ardhur për përfitime financiare, tash kërkojnë një punë më moderne, punën profesionale, dhe kjo është politika e klubit”.
“Ndryshimi i parë është bërë, janë larguar shumë futbollistë, tre futbollistë të huaj i janë bashkuar, komplet është ekipi i ri. Këta janë hapat për t’u inkuadruar në Premierligë në sezonin e ardhshëm, jo këtë sezon”.
Ai theksoi se do të ishte ëndërr për të që në sezonin e ardhshëm të përballet me Karim Benzeman e Cristiano Ronaldon.
“Do të ishte kënaqësi e madhe, dihet çfarë futbollista janë Benzema dhe Ronaldo, lus Zotin që ajo të më plotësohet”, theksoi Ramadani.