Nga 100 deri në 130 fëmijë gjatë 24 orëve kontrollohen në spitalin e fëmijëve “Kozle”.
Arsyeja është gripi sezonal dhe virusi sincicial, thonë mjekët dhe potencojnë se ankohen prej temperaturës së lartë dhe kollitjes. Aktualisht në këtë spital janë të hospitalizuar 40 fëmijë, dhe pacientët më të zakonshëm janë foshnjat dhe fëmijët që shkojnë në çerdhe.
“Në përgjithësi, këta janë fëmijë më të vegjël, 70 për qind janë nën tre vjeç dhe të gjithë me bronkopneumoni më të rënda. Aktualisht kemi dy fëmijë të sapo pranuar në mbështetje me oksigjen. Fëmijët më të vegjël që vijnë kanë nevojë për mbështetje me oksigjen. Është një numër i vogël, por gjithmonë ka një fëmijë. Kemi edhe dy fëmijë me Covid.”, – deklaroi drejtori i spitalit të fëmijëve “Kozle”, Besnik Zeqiri.
Javën e kaluar në vend u raportuan më shumë se 1.100 raste të gripit, 15 për qind më pak se ajo e kaluara, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik. Pragu epidemiologjik për sezonin e gripit është tejkaluar për tre javë rresht. Piku pritet në shkurt, një deri në dy javë pasi fëmijët janë kthyer në bankat e shkollës.
Mjekët këshillojnë prindërit që të mos i çojnë fëmijët e sëmurë në kopsht apo shkollë, sepse qëndrimi kolektiv lejon që viruset të përhapen më shpejt. Që nga fillimi i sezonit të gripit, mbi 4.200 qytetarë janë sëmurë, tre kanë vdekur. Sipas të dhënave, virusi i gripit po përhapet me intensitet të lartë në vend.