Kumanovë, 6 mars – Na ndajnë vetë pak ditë nga muaji i shenjtë i Ramzanit, muaji më i çmuar për myslimanët. Në prag të këtij muaji Open-TV zhvilloi një intervistë me kreun e Bashkësisë Fetare Islame (BFI), z.Shaqir Ef. Fetai.
Fetai na mirëpriti me shumë ngrohtësi, duke na falënderuar për kontributin si dhe shprehu mirënjohje për portalin tonë dhe shikuesit para këtij muaji.
“Jemi në ditët e një ambienti të një gëzimi të madh të besimtarëve, për këtë muaj të dalluar të krijuesit dhe krijesave. Rëndësia më e madhe e këtij muaji është se besimtarët do të kenë rastin të kryejnë njërin nga kushtet themelore të islamit, e ai është agjërimi. Agjërimi është farz për ata besimtar që janë fizikisht dhe mentalisht të shëndoshë. Pra agjërim do të thotë largimi nga haja dhe pija, si dhe nga marrëdhëniet intime duke filluar nga agimi i diellit e deri në perëndim. Agjërimi argumentohet me ajete të Kuranit”, tha kreu i BFI-së Fetai.
Ai shtoi se agjërimi është një vlerë dhe fenomen historik që daton prej kohës së Ademit a.s, pra prej njeriut të parë.
“Ramazani nuk është vetëm agjërim, por vlera e këtij muaji qëndron te ajo se në këtë muaj zbriti edhe libri i shenjtë Kurani. E pikërisht në këtë muaj e kemi edhe natën me vlerë shumë të madhe që quhet Nata e Lejletul Kadrit”, shtoi Fetai.
Në videon e mëposhtme mund ta ndiqni intervistën e gazetarit Reshat Ibraimi me kryetarin e BFI-së në RMV, H.Hfz. Shaqir Ef. Fetai për Open-TV.