Pas Borussia Dortmundit, në finale të Ligës së Kampionëve është kualifikuar edhe skuadra e Real Madridit.
Real Madridi e eliminoi Bayern Munchenin në fazën gjysmëfinale dhe më datën 1 qershor në Londër, do të përballet me Dortmundin në finalen e madhe.
Padyshim, më i merituari për fitoren e Realit 2:1 në ndeshjen e kthimit të luajtur të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu” ishte sulmuesi Joselu.
Joselu u inkuadrua nga banka e rezervistëve për ta rikthyer rezultatin kundër Bayernit me dy gola të shënuar.
Bayerni ishte në epërsi me golin e Alphonso Daviesit që realizoi në minutën e 68-të, përpara se Joselu të inkuadrohet në lojë në vend të Federico Valverdes në minutën e 81-të.
Joselu, fillimisht e barazoi rezultatin me golin e realizuar në minutën e 88-të, ndërsa tre minuta më vonë e vulosi rezultatin përfundimtar.
Reali e eliminoi Bayernin me rezultatin e përgjithshëm 4:3 dhe po synon trofeun e 15-të evropian. Në anën tjetër, Dortmundi ka vetëm një trofe të Championsit kurse në vitin 2013 është mposhtur në finale nga Bayerni.