Sunaj Raimi
Sipas një legjende shumë të moçme çifute, dikur moti Zoti i Gjithfuqishëm i kishte tubuar në një mbledhje të gjitha krijesat e tij, për t’iu kumtuar atyre një lajm shumë të rëndësishëm. Me këtë rast, engjujt si ndihmës të Zotit, këtë mbledhje mitike me krejt qeniet e gjalla të kësaj bote u munduan ta bëjnë sa më bukur. Atëbotë Zoti të pranishmëve iu drejtua kështu: Të dashura krijesa të mia, sot ju kam mbledhur këtu së bashku për t’ua kumtuar një informatë jetike, e cila do të jetë thelbësore për jetët tuaja si gjallesa. Unë sot secilit prej jush do t’i tregoj se me çfarë ushqimi do të ushqehet lloji i tij, çka duhet të hajë ajo krijesë për të mbetur gjallë në këtë botë. Dhe kështu filloi njoftimi i krijesave me llojin e ushqimit të cilin Zoti ua kishte caktuar atyre për të ngrënë dhe për të mbijetuar.
Në fillim u thirr Elefanti, si qenia më e madhe që jetonte mbi Tokë. Zoti atij i tha: Ti moj kafsha ime më e madhe që ec mbi tokë do të ushqehesh me bimë, gjethe e fruta, të cilat do t’i kesh gati kahdo që të shkosh. Mjafton vetëm ta zgjatësh feçkën, t’i këputësh ato dhe ta ngopësh barkun sa të duash.
Pastaj e thirrën Balenën, të cilës Zoti i tha: Ti moj krijesa ime më e madhe ujore që do të jetosh nëpër oqeane dhe detra, do të ushqehesh me peshq, insekte dhe planktone të padukshme, të cilat prore do t’i kesh rreth gojës tënde, derisa noton e lirë nëpër pafundësitë e ujërave të kaltëra.
Pas tij u thirr edhe Luani si mbret i kafshëve, të cilit Zoti i tha: Ti o Luan, që je mbret i të gjitha kafshëve të botës, do të ushqehesh me krijesa thundrrake si kaprroj, buaj e zebra, të cilat vazhdimisht do të mund t’i gjesh afër vendit ku jeton me kopenë tënde.
Më pastaj engjujt e thirrën Kalin, të cilit Zoti i tha: Ty moj krijesë fisnike si ushqim të kam caktuar barin nëpër livadhe dhe drithërat e arave, të cilat gjithmonë do t’i kesh me bollëk nëpër ledina, kodrina dhe ara të mbjellura me bereqet.
Kur e thirrën Shqiponjën, asaj Zoti iu drejtua kështu: Ti moj mbretëreshë e hapësirave qiellore, do të ushqehesh me zogj, brejtës dhe lepuj, të cilët nga qielli i lartë do t’i shohësh si askush tjetër, duke patur mundësi t’i gjuash ato për ta ushqer veten dhe të vegjëlit e tu.
Pastaj e thirrën edhe Majmunin, të cilit Zoti i tha: Ty o krijesa ime lozonjare, si ushqim të kam caktuar fruta më të ndryshme nëpër drunj siç janë bananet, hurmat, avokadot e portokajt, të cilat në çdo kohë do t’i kesh afër dorës tënde për ta ushqyer veten së bashku me të vegjëlit e tu.
Dhe më në fund Zoti e thirri krijesën e tij më të dashur ‐ Njeriun, për t’ia kumtuar atij ushqimin me të cilin do të mund të mbetej gjallë. Kur njeriu kurreshtar iu afrua Zotit për ta marr vesh se cili është ushqimi i tij për mbijetesë, Zoti ia bëri me shenjë engjullit që t’i bjerë diçka të mbështjellur me pëlhurë. Engjulli fluturimthi ia solli Zotit një somun buke të mbështjellur, të cilin pasi e nxori nga pëlhura ia dha atij në dorë. Kur Zoti e drejtoi somunin kah njeriu, ky u bë gati ta merrte atë, por Zoti nuk ia lëshoi atij somunin në dorë, por ia rrokullisi lugut te poshtë! Atëherë njeriu i habitur e pyeti:
Po pse o Zot ushqimin tim nuk ma dhe në dorë, por e rrokullise atë duke e hedhur aq larg?!
Atëherë Zoti iu përgjigj: Unë Ty të kam krijuar si krijesën time më të dashur. Ty të kam dalluar nga të gjitha krijesat e mia tjera, sepse të kam dhënë Mendje, një pajisje me të cilën ti do të mundesh ta sundosh dhe posedosh secilën krijesë tjetër të kësaj bote e cila jeton në tokë, në ujë apo në qiell. Me mendjen të cilën ta kam dhuruar, Unë ty të kam privilegjuar si të vetmen krijesë të gjallë e cila do të mundet t’më njohë Mua, por edhe t’i zbulojë sekretet më të mëdha të kësaj bote të mrekullueshme të cilën e kam krijuar për ju.
Mirëpo, të gjitha këto arritje jetësore, përfshi këtu edhe këtë somun me të cilën do të ushqehesh, ti nuk do të mundesh t’i realizosh asnjëherë nëse për ato nuk do të mundohesh dhe lodhesh. Për t’i fituar të gjitha këto vlera, së bashku me ushqimin tënd bazik si somun buke, ti gjithmonë duhet të angazhohesh dhe vraposh pas tyre. Somuni, të cilin Unë ta rrokullisa lugut te poshtë, e kishte pikërisht këtë mesazh. Pra, për ta arritur këtë somun buke në rrokullisje, ti gjithmonë duhet të vraposh, të punosh dhe të djersitesh! S.R.