Duke filluar prej sfidave të para kur filloi iniciativa për botimin e numrit 1 në vitin 1992, atëherë kur unë si një i ri po shikoja nga afër krijimin e saj nga iniciatorët legjendarë, e deri më tani në numrin e fundit jubilar 62, është një histori e tërë e revistës së pavarur për letërsi, shkencë dhe kulturë “DORUNTINA” si botim i Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë.
Gjithçka filloi në klubin e Lagjjes së Trimave “Shqiponja” para 30 viteve dhe tani po vazhdon shumë fuqishëm me kryeredaktorin Dr.Sevdail Demiri si një lokomotivë supersonike e trenit që po bartë pas tij vagone të panumërta me shumë vlera kombëtare, ndihmuar nga një ekip i mrekullueshëm kolosësh si redaksi vullneti e profesionalizmi unik nga këto treva e që nuk ndalen asnjëher. Si çdo herë, edhe në këtë numër jubilar për 30 vjeçarin e kësaj reviste, dëshmohet se në Kumanovë me rrethinë së bashku me dashamirët e librit dhe fjalës së shkruar gjithandej nëpër botë, tradita kumanovare do të vazhdon…dhe jo rastësisht thuhet se me vullnet të madh, miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të qetë, përjetohet jeta ideale. Gjithashtu dihet se një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare, ne tani i kemi plot 62 dritare vetëm me Doruntinën tonë si thesar i vlerave dhe kulturës, me pamje të mrekullueshme e horizonte të pafund të krijimtarisë letrare magjepsëse, prezantime të shkëncës, kulturës kombëtare, artit dhe të personaliteteve me të cilët krenohemi që të gjithë.
Tani kur jemi në një krizë të thellë ekonomike si shoqëri e komb, në anën tjetër është një pasuri dhe krenari e madhe se drita e vlerave kombëtare po shkëlqen me një dritë 30 vjeçare e cila ditë e më shumë po ndriçon dhe po ngroh zemrat tona me përmbajtjet madhëshore të revistës numër pas numri, me prezantime dhe mbetje në kujtesë të shumë vlerave tona kombëtare…
Faleminderit për gjithsecilin që kurdoherë ka kontribuar në çfardo mënyre rrugëtimin historik të kësaj reviste. Dhe po!…ata e sollën Doruntinën në jetën tonë.