Të enjten në Bruksel ka pasur seri takimesh për menaxhimin e krizës mes kryeministrit Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell dhe emisarin e tij special për Ballkanin dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Përpos me Kurtin, Lajçak e Borrell patën takime edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por një takim trilateral nuk pati.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në konferencë për media para gazetarëve në Bruksel ka folur edhe për tri kushtet e Shefit të Diplomaicë Evropiane, Josep Borrell, si tërheqja e policisë nga objektet komunale në veri, shpallja e zgjedhjeve të reja, si dhe largimi i Kryetarëve nga ndërtesat komunale.
Por, i pari i Qeverisë tha se prania e policisë në objektet komunale në veri është e obligueshme duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë qëlluar gazetarët, e ushtarët e KFOR-it.
“Unë së pari i thash dhe Përfaqësuesit Borrell që policia nuk është në afërsi, por brenda në ndërtesë dhe prania e tyre është e obligueshme për ta duke pas parasysh ekstremistët e dhunshëm që kane qelluar gazetarët, ushtarët e KFOR-it. Nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual të policise siç e kemi paralajmëruar përderisa s’ka elemente për largimin e këtyre ekstremistëve të dhunshëm”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës paralajmëroi se do të ketë zgjedhje të parakohshme në veri, por ato duhet të jenë siç i parasheh ligji në Kosovë, pasi nuk mund të bëhen zgjedhje që nuk janë ligjore.
“Po zgjedhje të parakohshme pa dyshim, jemi të hapur, por zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore. Siç i parasheh ligji në Kosovë. Nuk mund të bëjmë zgjedhje qe nuk janë ligjore”, tha ai, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ia përkujtova zotit Borrell dhe Lajçak se dhuna ma e madhe ka qenë në Zveçan ku kryetari s’ka qenë brenda në ndertesë. Ilir Peci s’ka qene në zyrë kur dhjetëra policë e gazetare u plagosën. Në këtë aspekte s’kemi bërë ende përparim”, tha Kurti, ndërsa shpresoi se ditët në vazhdim do të jenë më të qeta, por tha se nuk ka garanci pasi ka numër të madh të kriminelëve.
“Në ditët dhe javët në vijim do të kemi ditë më të qeta dhe me paqësore dhe natyrisht nuk ka garancion për një gjë të tillë pasi kemi numër të madh të atyre kriminelëve”.
I pyetur, nëse kjo do të thotë se ai po plotëson vetëm një kusht të Bashkimit Evropian, edhe atë me kushte, për shpalljen e zgjedhjeve të reja, Kryeministri i vendit tha se kushti i veprimtarisë së tij, është kushtetuetshmëria dhe ligji në Kosovë dhe se çfarëdo që bie ndesh me ligjin, ai tha se nuk e plotëson dot.
“Duhet ta keni parasysh se kushti i veprimtarisë time është kushtetuetshmëria e Kosovës dhe ligji ne Kosove. Çfarëdo kushti i cili bie ndesh me ligjin në Kosovë, unë nuk e plotësoj dot. Unë nuk do isha kryeministër po te mos ishte Kosova Republikë. Kjo më kufizon dhe të njëjtën kohë me jep kompetencë. Jam për zgjedhje te parakohshme për shkak të daljes se ultë, mirëpo në anën tjetër këto zgjedhje jasht ligjit nuk mund të bëhen”, përfundoi Kurti.
Kurti, para gazetarëve në Bruksel ka thënë se nuk pati takim trilaterla, siç ndodh zakonisht, pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka thënë se kjo është një sjellje aspak konstruktive e tij, e duke qenë se ka ndodhur kështu, jo gjithçka varet prej tij, pasi s’janë të dyja palët.
“Nuk pati takim trilateral siç ka ndodhur zakonisht, për shkak se pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë. Pra, mua më duhet të përballem me një situatë në të cilën para katër muajve m’u premtua që nuk po nënshkruhet Marrëveshja Bazike meqenëse do të nënshkruhet bashkë me Aneksin e Zbatimit. E mandej, para tre muajve m’u tha që nuk do të nënshkruhet as Marrëveshja e Zbatimit si pjesë integrale pra ai aneks në Ohër, meqenëse edhe ashtu kemi marrëveshje”
“Sot u konfirmua që kemi marrëveshje, mirëpo nuk patëm takim. Kjo është sjellje aspak konstruktive e palës tjetër. Unë kam ardhur për t’u takuar, për t’u marrë vesh, për të zhvilluar bisedime, negociata në mënyrë që të kemi dakordime dhe të ecim përpara”
“Sido që të jetë për shkak se unë jam vetëm njëra palë, nuk janë të dy palët, jo gjithçka varet prej meje”, tha Kurti.
Kurse, Shefi i Diplomacisë Evropiane, pas katër orësh takime ndaras, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se situata është e papranueshme dhe nuk mund të vazhdohet kështu.
Ai ka thënë se gjithmonë po mblidhen në takime të tilla për menaxhim krizash, derisa ka theksuar se i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për de-eskalim të situatës, për tu kthyer më pas në procesin e normalizimit.
Shefi i Diplomacisë Evropiane tha se i ka propozuar Kryeministrit Kurti që të tërheq operacionet policore në objektet komunale në veri, si dhe kryetarët të tërhiqen përkohësisht nga ato objektet, si dhe të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat.
“Kjo është aspak e papranushme, aspak e përballueshme, dhe kjo nuk mund të vazhdoj. Gjithmonë po na duhet që të mblidhemi në takime të këtilla për menaxhimin e krizave. Ne i kemi bërë thirrje disa herë Kosovës dhe Serbisë për de-esklaim të situatës, dhe të kthehemi në procesin e normalizimit. Në katër orët e fundit, më shumë se katër orë, jam takuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. I kemi prezantuar palëve do të ketë edhe pritje për Kosovën që menjëherë të pezullojë këto operacione në afërsi me objektet komunale në veri të Kosovës dhe katër kryetarët që përkohsisht të tërhiqen nga objektet komunale, ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale dhe njëkohësisht me tërheqjen e forcave policore të shpallen zgjedhjet e parakohshme sa më shpejt që është e mundur në katër komunat me kushtin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosoves, dhe këtu qendron thelbi i problemit dhe i zgjidhes”, tha Borrell.
“Zgjedhjet e hershme, zgjedhje të reja sa më shpejt qe është e mundur me pjesëmarrje të plotë, dhe pas kësaj, pasi situata të normalizohet të vazhdojnë punët në normalizim përmes te dialogut të lehtësuar nga BE. Para ca muajsh patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe me të vërtetë dukej që ishim në një drejtim të mirë për të avancuar, duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshje dhe kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Borrell në konferencë për media.
“Për të ecur përpara kam nxjerr në tryeze propozime konkrete në bazë të kushteve të BE-se dhe jemi pajtuar për nevojen për zgjedhje te reja dhe kemi diskutuar modalitete dhe detajet për të arritur atje”, tha Borrell.
Çka tha Vuçiq?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit tha se bisedimet do të vazhdojnë në baza ditore sepse siç u shpreh ai besojnë se paqja dhe stabiliteti janë kyçe.
I pyetur nëse ndërmjetësit evropianë kanë insistuar për një takim trepalësh ku ai do të jetë së bashku me Kurtin në tryezë, Vuçiq tha se nuk sheh arsye për të biseduar me Kurtin.
“Por, në këtë moment, nuk shoh asnjë arsye për të folur me një njeri që prodhon provokime çdo ditë, sepse kjo është ideologjia e tij fanatike dhe mendoj se (të flasësh për treshen) do të sillte dëm, dhe kjo është arsyeja pse mendoj se është e pakuptimtë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se kishte dëgjuar përfaqësuesit evropianë.
“Dëgjova gjithçka që Borell dhe Lajçak kishin për të na thënë. E kuptova dëshirën e tyre për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t’i zgjidhur problemet përmes dialogut, thashë si gjithmonë se do të bëjmë gjithçka që mundemi për të marrë pjesë në të”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse është arritur ndonjë marrëveshje, ai tha se nuk mund të thotë se është bërë një hap në deeskalim.
“Ajo që do të ndodhë më pas varet më pak nga Borelli dhe ne, dhe më shumë nga ata që nuk ishin të interesuar për paqen dhe stabilitetin. Në çdo rast, mendoj se është gjithmonë mirë kur dëgjon dikë, mund të sqarosh diçka. Unë nuk shoh asnjë dëm nga takimet, nëse ndodh diçka e mirë, e madhe – nëse jo, çfarë duhet të bëjmë. Na takon neve të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, të bëjmë përpjekje, të kuptojmë se sa e rëndësishme është…”, tha ai./Reporteri.net/