Për kontributin shumëvjeçar në lëmin e edukimit, arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit jetësor dhe në veprimtarinë sociale, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë ndarë çmimet shtetërore “Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2022.
Para drejtuesve të institucioneve të vendit, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Universitetit të Tetovës, si Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, për kontribut në lëmin e arsimit, Çmimi “Shën Klimenti i Ohrit” i është ndarë edhe Prof. Dr. Afrim Osmanit, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.
Prof. Dr. Afrim Osmani për opinionin publik njihet si një intelektual i angazhuar, që veprimtarinë e tij e ka fokusuar në çështje të arsimit dhe kërkimeve shkencore.

Profesor Afrim Osmani, tre ciklet e studimeve i kreu në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në vitin 2002, 2006 dhe 2010, me çka në fund fitoi edhe gradën shkencore: Doktor i shkencave juridike.
Pas përfundimit të studimeve të drejtësisë, karrierën e filloi në Ministrinë e Drejtësisë, në vitet 2003-2007. Nga viti 2007 u bë pjesë e bashkësisë akademike, së pari si asistent e më pas edhe si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Parë Privat FON. Nga viti 2013 e deri sot është në marrëdhënie të rregullt pune në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, në të cilin është zgjedhur në thirrjen mësimore-shkencore profesor ordinar.
Prof. Dr. Afrim Osmani është autor i disa librave dhe shumë botimeve shkencore, si: Fjalori Terminologjik Juridik (maqedonisht-shqip dhe anasjell), i botuar në tre edicione: 2004, 2008 dhe 2020; Kodi penal i Republikës së Maqedonisë (pjesa integrale, i përpunuar në gjuhën shqipe, me udhëzime dhe sqarime, treguesi alfabetik), i botuar në 2 edicione: 2010 dhe 2015, kurse është në përgatitje e sipër edhe botimi i tretë; Komentimi i Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, i botuar në vitin 2013; Penologjia, i botuar në vitin 2017.

Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe profesionale, vendore dhe ndërkombëtare, për çka ka marrë edhe certifikata dhe diploma. Është anëtar në bordet e revistave shkencore; recensent i më shumë punimeve shkencore, publikimeve dhe librave; anëtar në grupet e ekspertëve dhe trupave profesionale për përgatitjen e Ligjeve; anëtar në komisionin për pranimin e kualifikimeve të arsimit të lartë; anëtar i Shoqatës për të drejtën penale dhe kriminologjisë së Maqedonisë; ambientalist i dalluar dhe është pjesë i lëvizjeve vendore, regjionale, evropiane dhe botërore që e ngrenë zërin për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.
Po ashtu, më herët e ka fituar çmimin “Feniks” nga Komuna Qendër dhe Çmimin “13 Nëntori” nga qyteti i Shkupit.
