Shkëndija e Tetovës vijon përgatitjet për ndeshjet eliminatore të Conference League, teksa në turin e parë shorti e vuri përballë armenëve të Noah, me ndeshjen e parë që do të luhen në transfertë.
Paralelisht me stërvitjen, kuqezinjtë nga Tetova vijojnë edhe punën për kompletimin e skuadrës, teksa pasditen e të premtes është prezantuar zyrtarisht edhe mesfushori shkatërrues nga Nigeria, Ibrahim Alhassan Adamu.
Ky i fundit vjen pas një sezoni mjaft pozitiv te skuadra tjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Gostivari dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Jeton Beqiri. Adamu në të shkuarën ka luajtur edhe në Turqi me skuadra si Menemenspor, Altay e Ankara Keciorengucu.
“Më gëzon pa masë mënyra se si më priti ekipi. Isha shumë i lumtur kur mësova për ofertën e Shkëndijës, sepse unë e njoh dhe e pëlqej stilin e ekipit. Më pëlqen gjithçka rreth ekipit, mënyra si luajnë, duken shumë profesionalë dhe prandaj vendosa të jem pjesë e këtij klubi”, është shprehur Ibrahim Alhassan Adamu, pasi hodhi firmën e tij në kontratën dy vjeçare me kuqezinjtë.