Open-TV ka siguruar një video ku shihet se si një grup i tifozëve të klubit maqedonas GFK Kumanovo prapa portës mysafire përdorin gjuhë të urrejtjes, duke brohoritur “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe kore të tjera raciste. Ngjarja ka ndodhur në stadiumin e fshatit Dobërshan, disa kilometra larg qytetit të Kumanovës, aty ku ky klub I luan ndeshjet si vendës.
Ndeshja GFK Kumanovo-Fortuna nga Hasanbegu përfundoi me fitoren e vendësve me rezultat 2-0, gola që u shënuan në pjesën e parë. Ka qenë ndeshje e mbetur e javës së 21-të në Ligën e Tretë-Veri të Maqedonisë së Veriut në futboll.
GFK Kumanovo tani është ngjitur në pozitën e parë dhe ka një pikë më shumë se Shkëndija e Haraçinës (58 me 57) me të cilën skuadër po vazhdojnë betejën për titullin e kampionit, që mundëson zhvillimin e ndeshjes së barazhit për ngjitje në Ligën e dytë. (Open-TV)