Struga Trim Lum ditë më parë shkroi historinë, duke u shpallur kampione e Ligës së parë. Me fitoren ndaj Sileksit (3-0) dhe me humbjen e Shkëndijës nga Shkupi (2-1), struganët siguruan titullin e parë në historinë 8–vejcare, dy javë para fundit të kampionatit, shkruan Open-TV.
Një nga protagonistët kryesor të këtij trofeu është padyshim edhe Suhel Muharemi.
Në një intervistë për “Open-TV”, 21-vjecari i talentuar nga Shkupi tha se është shumë i lumtur për këtë arritje historike.
“Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Ishte diçka e bukur, pasi që nga loja e parë e deri më tani kemi qenë lider të tabelës dhe mendojë se e kemi merituar titullin. E falënderoj trajnerin Shpëtim Duro për besimin e dhënë gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj të vazhdoj me ritmin e njëjtë deri në fund të sezonit. Natyrisht ndjenja është e vecant dhe shpresoj të mos ndalemi këtu, por ta fitojmë edhe kupën. Për këtë sukses kam marrë mesazhe të pafundme nga shokët, kolegët dhe familjarët”, deklaroi për Open-TV Muharemi, i cili ka shënuar 3 gola dhe 2 asiste.
Struga Trim Lum me 20 maj takohet me Makedonija GJP në finalen e madhe të Kupës. Muharemi tregohet optimist.
“Shanset janë të mëdha për ta fituar edhe kupën. Jemi shumë të motivuar dhe të etur për këtë sukses. Shpresojmë se do ta fitojmë edhe finalen”, thotë ai.
Muharemit në fund të sezonit i përfundon kontrata me kampionët e rinj.
“Nuk kemi folur në këtë drejtim. Do të flasim pas finales, pasi tani mendojmë vetëm si ta fitojmë Makedonija GJP”, përfundoi Suhel Muharemi.
Struga Trim Lum sot është në karantinë në Shkup, ndërsa nesër (ora 17:00) e zhvillon derbin e javës së 32-të kundër Shkëndijës në stadiumin e qytetit në Tetovë. (Open-TV)