Organizuar nga Shoqata kulturore “Menada”, sot në Tetovë u mbajtë Manifestimi letrar-poetik “Takimet e Sharrit”. Poezia “Fiziologjia e një Paradoksi” e profesorit nga Kumanova, Sunaj Raimi, u vlerësua me shpërblimin “Çmimin Special”.
Ja postimi i tij i plotë:
Sot në Manifestimin letrar-poetik ‘Takimet e Sharrit’, të mbajtur në Tetovë, organizuar nga Shoqata kulturore ‘Menada’, Tetovë, kjo poezi e imja u vlerësua me shpërblimin ‘Çmimin Special’ i Manifestimit!
Fiziologjia e një Paradoksi
Kjo botë e jona, është një monedhë tragjikomike
E mbushur me shumë enigma dhe paradokse atipike
Me ligjshmëri e fenomene të çuditshme ontologjike
Që s’deshifrohen as me persiatjet më filozofike.
Në këtë planet, dikush në afat rekord diplomon,
Megjithëse më i fundit punësohet në profesion,
Dikush tjeter plotë 40 vjet pa pushim punon
Ndërkaq që vdes herët pa arritur të dal në pension.
Dikush pa asnjë diplomë, specializim apo zanat
Arrinë të grumbulloj miliona dhe të bëhet magnat,
Disa tjerë megjithë pronat dhe pasurinë e grumbulluar
Mbeten persona injorantë, meskinĕ dhe të paformuar.
Në këtë botë të çuditshme dikush shet fëmijën për pasuri
E ai tjetri harxhon pasurinë për të patur ndonjë fëmijë
Dikush martohet me atë që kurrë nuk e ka dashuruar,
E ai tjetri e do atë me të cilën asnjëherë nuk është martuar.
Në këtë lojë bizare të jetës ku luajnë fati dhe taksirati
Gjithmonë dikë e udhëheqë fati, e dikë e zen taksirati.
14.05.2022, Tetovë.