Supergoli i Muriqit nuk i mjaftoi Kosovës që të dalë qoftë edhe me një pikë nga transferta në Irlandën e Veriut, pasi vendasit arritën të shënojnë dy herë dhe të përmbysin avantazhin fillestar të “Dardanëve”.
Skuadra e drejtuar nga Allain Giresse bëri një 90-minutësh mjaft të mirë, por kaloi disa minuta përgjumje pas golit të avantazhit, të shënuar nga Muriqi dhe pavarësisht pritjeve të portierit Muric, sërish nxori dy herë topin nga rrjeta dhe doli e mposhtur 2-1.
Kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur, Kosova mban vendin e dytë me 6 pikë dhe ka fatin në duart e saj, pasi një fitore ndaj Qipros e konfirmon në këtë pozicion, ndërsa Irlanda e Veriut mban vendin e tretë me 5 pikë.
Irlanda e Veriut-Kosova (2-1)
Nations League
Mbyllet me rezultatin 2-1 Irlandë e Veriut-Kosovë.
90+2′-Irlanda e Veriut përmbys, Magennis gjen rrugën drejt rrjetës pas asist nga Whyte.
90′-Gabon Zeneli, dardani ka një rast shumë të mirë për të shënuar, por nuk e dërgon topin në kuadrat.
87′-Muriqi kishte super rast për të barazuar, por dardani gabon dhe e dërgon topin shumë lart mbi portë.
82′-Barazon Irlanda e Veriut! Në kundërsulm, pas një asisti nga Lavery, Whyte gjen rrugën drejt rrjetës.
79′-McNair tenton të gjejë golin me një goditje nga distanca, por e dërgon topin shumë lart mbi portë.
65′-Dy raste brenda disa sekondave, Irlanda nis sulmet, por Muric reagon mirë dhe i ndal.
57′-Gooool! Super goditja e Muriqit i jep avantazhin Kosovës në “Winsdor Park”.
46′-Bradley kalon mbrojtjen e Kosovës dhe godet topin drejt portës, por Muric reagon mirë dhe e ndal.
Nis pjesa e dytë Irlanda e Veriut-Kosova, dardanët në kërkim të golit
Mbyllet me barazim pa gola pjesa e parë e Irlanda e Veriut-Kosova.
43′-Charles kalon mbrojtjen e Kosovës dhe kërkon të gjejë golin, por ndalet nga portieri Muric.
36′-Pas një krosimi nga Celina, Rashani e çon topin mbi traversë.
23′-Muslija tentoi të gjente rrugën drejt rrjetës me një goditje dënimi, por u ndal nga Peacock-Farrell.
13′-Pas një goditje nga këndi, Muriqi tenton të gjejë rrugën drejt rrjetës me kokë, por nuk ia del, pas tij Aliti nuk ia del të gjejë kuadratin e portës për të shënuar.
10′-Tjetër rast për Kosovën, Muriqi humbet një super rast, por më pas topi shkon te Rashica, por dardani ndalet nga Peacock-Farrell.
05′-Muslija ka një rast të mirë për të shënuar, por ndalet nga portieri i Irlandës së Veriut, pas tij topi shkon te Rashica, por as ai nuk ia del.