Intervistoi: Shengile Ibraimi
Kumanovë, 20 mars – Më 21 mars ishte Dita Botërore e Sindromës Down. Me këtë rast Open-TV ka zhvilluar një intervistë me Xhejlane Ameti, defektologe, me përvojë 20-vjeçare në shkollën fillore komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë.
Ajo për Open-TV sqaron se kur vihen re problemet e të folurit tek fëmijët dhe si duhet të veproj një prind kur e heton fëmijën e tij se ka probleme të tilla.
Defektologia Xhejlane Ameti tregon edhe për vështirësitë që hasin në shkollë dhe për trajtimin e nxënësve me sindromën down.
Ajo i këshillon prindërit të kenë kujdes nga ndikimi i teknologjisë, sepse koha para ekranit ulë përdorimin e fjalëve dhe fjalive, duke rezultuar zhvillimin e vonuar të gjuhës.
Sipas saj, me fëmijën duhet folur sa më shumë që të jetë e mundur.
Open-TV: Në çfarë moshe vihen re problemet e fëmijëve në të folur?
Xhejlane Ameti: Nëse te fëmija që në moshën 2-vjeçare vihet re se ai mezi flet, flet nga dy-tre fjalë, nuk artikulohet asnjë fjalë ose e folura e tyre është e përzier si p.sh shqip-anglisht, atëherë duhet të kërkohet ndihmë profesionale.
Open-TV: Si ta hetoj prindi se duhet të kërkohet ndihmë logopedike?
Xhejlane Ameti: Që tek fëmija të zhvillohet të folurit duhet të ketë një zhvillim të drejtë të sistemit nervor, i cili lidhet direkt me aparatin e të folurit. Përveç kësaj për një zhvillim normal të të folurit duhet që fëmija të ketë kontakt me persona tjerë. Nëse njëri nga këto procese është i dëmtuar ose nuk është i zhvilluar, atëhere paraqitet problem në të folur.
Open-TV: Çfarë pengesa më të shpeshta në të folur i hasni më së shumti ju si defektologe në shkollën tuaj?
Xhejlane Ameti: Që në regjistrim të fëmijëve në klasë të parë dallohen nxënësit që kanë çrregullime në të folur. Më të shpeshta janë: belbëzimi, lëshimi i disa tingujve, të folurit është e pakuptimtë, afazija, dislalija. Atëhere prindit i sugjerohet që fëmijën ta vlerësoj në komisionin e KFN-së (MKF) duke lënë termin prej te mjeku amë. Nëse komisioni ka vlerësuar se fëmija ka çrregullim, atëhere iu caktohet seancë logopedike, të cilat realizohen pa pagesë këtu në qytetin tonë. Një fenomen që është paraqitur viteve të fundit është se gjatë regjistrimit në klasë të parë përderisa bëhet vlerësimi i nxënësit hetohet një gjuhë e përzier shqip-anglisht ose vetëm anglisht, ku fëmijët shkronjat, numrat dhe ngjyrat nuk mund t’i shprehin në gjuhën amtare, por në gjuhën angleze dhe atë të 95% e nxënësve.
Open-TV: Si i trajtoni nxënësit me sindromën Doën në shkollën tuaj?
Xhejlane Ameti: Të gjitha anomalitë e kromozomeve karakterizohen me deficit të intelegjencës, por kanë edhe ngecje në zhvillimin trupor. Këto fëmijë janë shumë dashur, të qeshur dhe pothuajse çdoherë përdorin buzëqeshjen dhe përqafimin në vend të fjalëve. Si pasojë e ndryshimeve në strukturën e gojës si qiellzë e ngushtë, zgavër e vogël e gojës me një gjuhë relativisht më të vogël të folurit te këta fëmijë është me çrregullime në artikulimin e tingujve C, S, Z, fishkëllima e shkronjës SH si dhe rotacizëm i shkronjës R.
Open-TV: Çrregullimi në të folur a shkakton probleme tjera në shkollë?
Xhejlane Ameti: Përderisa janë të vegjël nxënësit nuk janë të vetëdijshëm për vështërsinë që e kanë, por duke u rritur vetëdijësohen për këtë dhe zgjedhin të heshtin që të mos gabojnë. Sepse, shpeshëherë bulizohen nga bashkëmoshatarët e tyre për të folurit.
Open-TV: Cila është këshilla yte për prindërit?
Xhejlane Ameti: Prindërit të kenë kujdes nga ndikimi i teknologjisë sepse koha para ekranit ulë përdorimin e fjalëve dhe fjalive duke rezultuar zhvillimin e vonuar të gjuhës.
Të flitet me fëmijën sa më shumë që të jetë e mundur, poashtu edhe biseda me fëmijën derisa kryen aktivitetet e perditshme si veshja, larja, gatimi, stimulojnë të folurit. Ti flitet thjeshtë dhe qartë, sepse fëmija mëson duke emituar. (Open-TV)