Altuna Memedalija me vullnetin e çeliktë dëshmoi se artet marciale nuk janë fushë mejdani vetëm për burrat. Ajo, sfidat i shndërroi në aleatë për të thyer paragjykimet se profesioni dhe sporti janë të ndara në baza gjinore
Altuna Memedalija i takon gjeneratës pas konfliktit të vitit 2001, ndërsa me vullnetin e saj të çeliktë ka dëshmuar se suksesi dhe fitorja janë të arritshme për të dy gjinitë, pavarësisht rrethit. Ajo paraqet një model të femrës së suksesshme, e cila vazhdon të punoj dhe luftoj për qëllimet dhe objektivat e saja duke vjelë medalje edhe kundrejt mungesës së kushteve të mira në vendlindjen e saj në Sllupçan në Komunën e Likovës.
Për 5 vite, Altuna është një karateiste e shquar dhe e njohur në komunitetin e sportit dhe kulturës së karatesë. Ndonëse kishte motivin, kurajën, vullnetin dhe mbështetjen e familjes për të vazhduar në rrugën e saj, ajo tregon përvoja të hidhura nga paragjykimet që ka përjetuar si pasojë e një fakti të vetëm: sepse është femër. “Karateja nuk është për femra” është një frazë të cilën mund ta dëgjojë pothuajse çdo njeri kur bëhet fjalë për kategorinë e femrave në këtë sport. Altuna është dëshmi e të kundërtës. Është paragjykuar, por nuk është dorëzuar.
Bindjet e ndryshme nacionaliste dhe rrethanat politike çdoherë kanë tentuar të reflektojnë në sporte dhe si të tilla të krijojnë ndarje, përçarje, shkelje të meritave dhe demotivimin e dekurajimin. Megjithëse në kushte të tilla është e pritshme, Altuna shpjegon se për faktin që është shqiptare – nuk është paragjykuar, përkatësisht etnia e saj nuk ka qenë pengesë që ajo të përballet dhe korr sukses. “Nuk kam vënë re diskriminim etnik. E para, sepse jam pjesë e një klubi puro shqiptar, pastaj edhe garat më të mëdha i kemi bërë me klube shqiptare dhe e dyta, të gjithë karateistët, pa marrë parasysh se çfarë etnie kanë, e dinë se karateja është mbi të gjitha kulturë, jo vetëm sport. Kështu që, në shumë gara dhe në shumë momente, jemi shoqëruar dhe vazhdojmë të shoqërohemi me të tjerë”.
Paragjykimet dhe stereotipat e ndryshëm nuk e kanë larguar nga vëmendja për të garuar, luftuar dhe fituar në kategori të ndryshme dhe kompeticione të niveleve shtetërore, rajonale dhe ndërkombëtare. Altuna thotë se, kushti i vetëm i suksesit të saj është përkushtimi, ndërsa thotë se pavarësisht rrethanave të krijuara nga mendësia lokale dhe më gjerë, nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e familjes dhe klubit të karatesë.
“Në fakt, nuk ka qenë edhe aq e lehtë, sepse si sport kërkon shumë përkushtim. Megjithatë, kur e ndanë mendjen dhe je e disiplinuar në arritjen e qëllimit, edhe sukseset nuk mungojnë”. Këto nuk kanë qenë vështirësitë e vetme me të cilat është ballafaquar Altuna dhe klubi i saj i karatesë. Trajneri i Klubit të Karatesë “BESA”, Abedin Zymberi thotë se, asnjëherë nuk është ndihmuar nga federata dhe institucionet përkatëse për garat dhe pjesëmarrjet në kampionatet e ndryshme. Në disa raste në ndihmë i ka dalë Komuna e Likovës, por ajo sipas tij ka qenë mbështetje simbolike. Të gjitha aktivitete tjera janë vetëfinancuar dhe mbuluar nga klubi dhe garuesit.
Në vitin 2022 në Kampionatin Mbarëkombëtar të Karatesë i zhvilluar në datat 26-27 nëntor në Tiranë, Altuna Memedalija zuri vendin e parë duke u shpërblyer me medaljen e arit. Ajo është dekoruar edhe me medalje të tjera nëpër garat dhe turnetë ndërkombëtare. Klubi i Karatesë “BESA” në Sllupçan të Komunës së Likovës është njëri ndër klubet e para të këtij sporti në rajonin e Likovës dhe Kumanovës, ndërsa për sa vite ekziston nxjerr talente dhe sportistë të shquar dhe dëshmuar nëpër garat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Vlerësimet e këtij klubi dhe udhëheqësisë së tij për vlerat sportive të Altunës janë të larta. duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për ta mbështetur atë në rrugëtimin e saj profesional edhe më tutje. (qarte.mk)