Karateisti i talentuar i KK “Rinia” nga Mateçi i komunës së Likovës, Nedim Shaqiri, do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Evropian për senior që do të mbahet nga 8-12 në maj 2024 në Zarë të Kroacisë, shkruan Open-TV.
Nedim Shaqiri (-60 kg) pas fitores në kampionatin shtetëror dhe në play off për senior, siguroi pjesëmarrjen në ekipin e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut për në europianin e karatesë në Kroaci.
Ndryshe, Nedimi do të jetë i vetmi shqiptar që u kualifikua për në evropian në konkurrencën e meshkujve.
Trajneri i tij, Seful Osmani, nuk e fsheh gëzimin e tij për këtë sukses. Ai shprehet i kënaqur.
“Ky sukses erdhi pas një pune dhe përgatitje me shumë përkushtim dhe disiplinë.
Pas këtij kualifikimi na pret një përgatitje intensive me shumë përkushtim dhe motiv edhe më të madh. Dhasht Zoti që Nedimi të na sjellë medalje nga ky kampionat evropian”, deklaron trajneri Seful Osmani, i lumtur pas këtij rezultati.
Për Shaqirin pjesëmarrja në këtë kompeticion do të jetë një përvojë e re në karrierën e tij sportive. (Open-TV)