Të dielën (8 tetor) në qytetin e bukur të Strugës do të organizohet edicioni i 18-të i turneut ndërkombëtar në karate “Struga Open 2023”, shkruan Open-TV.
Turneu në fjalë është tradicional dhe organizohet nga klubi i njohur “Drini”.
Trajneri i KK Drini, Alim Hajredini, për Open-TV ka deklaruar se i kanë bërë të gjitha parapërgatitjet për një fillim të mbarë të turneutm, ndonëse me shumë vështirësi.
Ai pret pjesëmarrje të madhe të klubeve nga vendi dhe rajoni.
“Po ne jemi gati, edhe pse me shumë vështirësi, por po ia dalim mbanë. E them me vështirësi pasi edhe këtë vit, si edhe vitet e kaluara nuk kemi mbështetje nga Komuna e Strugës. Por, falë donatorëve privat uroj që edhe këtë vit, t’ja dalim mbanë”, deklaroi në fillim trajneri Hajredini.
“Këtë vit, pjesëmarrje kanë lajmëruar, klubet nga vendi dhe rajoni, si Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Bujanoci, Mali i Zi e të tjerë”, vijoi ai.
“Për të gjithë fituesit kemi përgatitur, medalje, diplomë, kupa për tre klubet më të suksesshme dhe dy kupa për klubet më masovike nga jashtë dhe nga brenda vendit”, bëri me dije trajneri Alim Hajredini.
“Gjithashtu me plaketa dhe mirënjohje do të nderohen edhe ata të cilët ndihmuan këtë aktivitet ndërkombëtarë”, ka përfunduar trajneri i KK Drini nga Struga, Alim Ajredini. (Open-TV)